Xhevdet Kelmendi, shërbyes civil në Pejë, ka bërë një reagim publik drejtuar Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, duke shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me trajtimin që thotë se ka marrë gjatë qëndrimit në këtë institucion shëndetësor.
"Dua të theksoj se nuk po e bëj këtë reagim për të fyer apo denigruar askënd. Po e bëj sepse besoj se çdo pacient meriton respekt, kujdes, komunikim njerëzor dhe përgjegjësi profesionale.":, shkroi ai në reagim
Reagimi:
REAGIM PUBLIK DREJTUAR SPITALIT TË PËRGJITHSHËM NË PEJË
Të nderuar drejtues të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë,
Po ju drejtohem publikisht për të shprehur një shqetësim të madh lidhur me përvojën time gjatë qëndrimit dhe trajtimit në institucionin tuaj shëndetësor.
Fatkeqësisht, gjatë kësaj përvoje jam përballur me sjellje që më kanë bërë të ndihem i neglizhuar, i përjashtuar dhe i fyer si pacient.
Pas kryerjes së ultrazërit të zemrës, sipas rekomandimit mjekësor, duhej të bëhej përcaktimi i terapisë. Mirëpo, përkundër pritjes së gjatë, nuk mora shërbimin dhe sqarimet e nevojshme.
Prita me orë të tëra, duke dëgjuar vazhdimisht se duhej të prisja edhe pak. Në fund u largova pa terapi dhe pa udhëzime të qarta për vazhdimin e trajtimit. Edhe komunikimi i mëvonshëm telefonik më la të zhgënjyer.
Dua të theksoj se nuk po e bëj këtë reagim për të fyer apo denigruar askënd. Po e bëj sepse besoj se çdo pacient meriton respekt, kujdes, komunikim njerëzor dhe përgjegjësi profesionale.

