Bojan Jevtiq, i akuzuar për veprat penale të spiunazhit dhe armëmbajtjes pa leje, është sjellë në Gjykatë në seancën fillestare pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Ish-togeri policor ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, ndërsa gjatë kësaj seance pritet të shqyrtohet marrëveshja e arritur ndërmjet palëve.
Rasti lidhet me akuzat për spiunazh dhe posedim të paautorizuar të armëve, për të cilat autoritetet kanë zhvilluar hetime paraprake.
Jevtiq, i cili është suspenduar nga Policia, në bazë të aktakuzës i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, duke i dorëzuar nëpërmjet platformave të komunikimit me internet, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
“Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin.
Ndryshe, dite me pare Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Bojan Jevtic për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
