Tri dekada pas rrethimit të kryeqytetit boshnjak autoritetet italiane po hetojnë “turistët snajperë”. Ata dyshohet se kanë paguar për të qëlluar njerëz gjatë rrethimit të Sarajevës.
Një dëshmi e pazakontë ka rihapur plagët e rrethimit të Sarajevës. Më shumë se tri dekada pas rrethimit të saj prokurorët italianë kanë nisur hetime që mund të hedhin dritë mbi një nga aspektet më të errëta dhe më pak të njohura të Luftës së Bosnjës të viteve 1992-1995: të ashtuquajturit “turistë snajperë”. Fjala është për shtetas të huaj që dyshohet se kishin paguar për të ashtuquajturat “safari të Sarajevës”, ku qëllonin me armë civilë në kryeqytetin boshnjak, Sarajevë, që ishte i rrethuar nga forcat serbe të Bosnjës.
Hetimi ndaj snajperëve të dyshuar nisi pas një padije të paraqitur nga gazetari dhe shkrimtari italian Ezio Gavazzeni. Ai i paraqiti Prokurorisë së Milanos dokumente dhe deklarata dëshmitarësh që i kishte mbledhur në vite të tëra kërkimesh. Në një intervistë për N1 Gavazzeni shpjegoi se zanafilla e punës së tij ishte një dokumentar i vitit 2022, “Sarajevo Safari”, i regjisorit slloven Miran Zupanic.
Deklarata e një ish-agjenti sekret
Edin Subašić, ish-oficer i Shërbimit Sekret të Ushtrisë Boshnjake, rrëfen në filmin “Sarajevo Safari” për marrjen në pyetje të një serbi të kapur në vitin 1993, i cili paska konfirmuar ekzistencën e “turistëve snajperë”. “I burgosuri, një 20-vjeçar nga qyteti serb i Paraçinit, deklaroi se kishte ardhur në Bosnjë me një grup vullnetarësh me ftesë të Partisë Radikale Serbe.”
