Skandali i grupeve të mbyllura në Facebook, ku pretendohet se vajza të ndryshme janë fyer dhe bullizuar në internet vite më parë, vazhdon të jetë në qendër të diskutimeve dhe reagimeve të shumta në rrjetet sociale.
Kësaj here, lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Fjolla Fetinci, bashkëshortja e këngëtarit të njohur Ardian Bujupi.
Përmes një videoje të publikuar në TikTok, ajo ka shprehur indinjatën e saj për ngjarjet e asaj periudhe, duke kritikuar personat që përpiqen të arsyetojnë sjelljet e tilla me moshën e re dhe gabimet që mund të bëhen gjatë asaj kohe.

“Si mund të mbrojë dikush një person që për javë dhe muaj me radhë ka fyer dhe bullizuar dikë në mënyrën më të keqe në internet, duke e arsyetuar me ‘ajo ishte e re dhe të gjithë bëjnë gabime kur janë të rinj’?”, është shprehur Fjolla në fillim të videos.
Ajo ka folur edhe për pasojat që, sipas saj, kanë pasur këto veprime te vajzat e përfshira, duke treguar se në atë kohë familjarëve të tyre u janë dërguar mesazhe, ndërsa janë shpërndarë fotografi dhe histori të pavërteta.
“Si mund të kesh guximin të dalësh para mijëra njerëzve, të ulesh para kamerës dhe të thuash gjëra të tilla, duke mos menduar se jetë njerëzish janë shkatërruar pjesërisht? U janë dërguar mesazhe baballarëve, familjarëve të grave të pafajshme, dhe janë shpërndarë fotografi e histori nga më të pavërtetat”, ka deklaruar ajo.

Në fund të videos, Fjolla nuk i ka fshehur emocionet teksa ka kujtuar atë periudhë, duke shprehur habinë e saj që edhe sot ka persona që përpiqen të mbrojnë sjellje të tilla.
“O Zot, njerëz, vetëm kur flas për këtë, vetëm kur mendoj se çfarë kohe ka qenë ajo atëherë… Dhe që ka ende njerëz që e mbrojnë këtë sjellje, është vërtet e çmendur”, ka përfunduar ajo.