Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, në seancën e sotme ka ngritur shqetësime lidhur me situatën e qumështit në Kosovë.
Kadrijaj ka thënë prodhuesve vendorë u është kufizuar përdorimi i vajit të palmës, ndërsa i njëjti dyshohet se gjendet në produktet që po importohen.
‘’Sot po ngre një shqetësim serioz që prek drejtpërdrejt prodhimin vendor, fermerët, punëtorët dhe ekonominë e Kosovës. Si është e mundur që prodhuesve vendorë të qumështit, tu kufizohet përdorimi i vajit të palmës në nënproduktet e qumështit, ndërsa në tregun e Kosovës, vazhdojnë të shiten produkte që dyshojnë se përmbajnë të njëjtin përbërës’’, ka thënë ajo.
Deputetja, ka alarmuar edhe për pasojat që mund të ketë në vendet e punës, duke thënë se qumështorja Vita ‘’ ka paralajmëruar pasoja të renda në punësim, me rrezikun që rreth 500 punëtorë të mbeten pa punë’’.
‘’Nuk mund të ketë një standard për qumështin e Kosovës, dhe një tjetër për produktet që vijnë nga jashtë. Ndërsa produktet e importuara konkurrojnë në tregun tonë, qumështoret vendore po përballen me pasiguri, kosto dhe rrezik për vazhdimin e veprimtarisë. Sipas shqetësimeve të ngritura nga sektori privat, rreth 15 qumështore vendore, janë në rrezik serioz. Qumështorja VITA ka paralajmëruar pasoja të renda në punësim, me rrezikun që rreth 500 punëtorë të mbeten pa punë’’, ka shtuar ajo.
