Në Gjykatën Themelore në Pejë, sot, më 12 nëntor 2026, pritet të mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të së ndjerës Arlinda Zekaj, i cili akuzohet për veprën penale “Kanosja”.
Seanca është caktuar të fillojë në orën 11:00, ndërsa me vendim të Gjykatës, ajo do të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e publikut dhe përfaqësuesve të mediave.
Vendimi për përjashtimin e publikut është marrë më 10 nëntor, pas kërkesës së Prokurorisë, me arsyetimin se gjatë procesit pritet të trajtohen informacione të ndjeshme që lidhen me jetën personale dhe familjare të palëve, përfshirë edhe të dhëna për fëmijën e mitur.
Jeton Sylaj akuzohet se kishte kërcënuar me vrasje ish-bashkëshorten e tij, Arlinda Zekaj, e cila më 25 tetor u vra në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet Albert Sylaj, vëllai i Jetonit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 23 tetor 2026, Jeton Sylaj dyshohet se gjatë muajit dhjetor të vitit 2025 e kishte kanosur seriozisht Arlindën, duke i shkaktuar frikë dhe ankth.
“Kam me të mbyt, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujt me të hek nga dora ime”, janë disa nga kërcënimet që, sipas aktakuzës, i akuzuari ia kishte drejtuar viktimës.
Në deklarimet e saj para organeve të drejtësisë, Arlinda kishte pretenduar se për vite me radhë kishte qenë viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike nga ish-bashkëshorti.
Ndërkohë, sipas aktakuzës, Jeton Sylaj kishte pranuar se i kishte shqiptuar disa prej fjalëve kërcënuese, por kishte pretenduar se kjo kishte ndodhur për shkak të shqetësimeve lidhur me djalin e tyre.




