Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka vlerësuar se zhvillimi i stërvitjeve ushtarake nga Serbia në territorin e Komunës së Bujanocit, në afërsi të kufirit me Kosovën, paraqet një çështje me rëndësi për mjedisin e sigurisë në rajon.
Në një postim në Facebook ka shkruar se aktivitetet e tilla, veçanërisht kur zhvillohen pranë zonave të banuara dhe përfshijnë kapacitete ajrore, ndikojnë në perceptimet e sigurisë së komuniteteve lokale, në veçanti të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Sipas tij, në kontekstin e sigurisë rajonale, këto zhvillime mund të interpretohen si faktorë që ndikojnë në rritjen e tensioneve dhe në uljen e besimit ndërmjet aktorëve lokalë.
“Duke marrë parasysh rëndësinë e stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, mbetet thelbësore që të veprohet me përmbajtje dhe në përputhje me parimet e sigurisë bashkëpunuese. Në këtë drejtim, roli i bashkësisë ndërkombëtare është kyç për të inkurajuar dialogun konstruktiv, transparencën dhe shmangien e veprimeve që mund të perceptohen si provokuese”, ka shkruar ai.
