Presidentja e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, i ka bërë thirrje Gjermanisë të kërkojë një marrëveshje me administratën e Donald Trump për të zgjidhur mosmarrëveshjen tregtare lidhur me çmimet e barnave.
Në një intervistë për POLITICO, Metsola tha se dialogu i drejtpërdrejtë mes Berlinit dhe Uashingtonit është mënyra për të shmangur pasoja më të vështira.
“Duhet të flasësh drejtpërdrejt dhe të arrish një marrëveshje. Këshilla ime për këdo do të ishte, thjesht përpiquni ta gjeni atë”, u shpreh ajo.
Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të SHBA-së po heton politikat gjermane për çmimet e barnave, duke e akuzuar Berlinin për “nën-pagesë të vazhdueshme” për produktet farmaceutike. Hetimi mund t’i japë administratës Trump bazë ligjore për vendosjen e tarifave të reja ndaj eksporteve gjermane.
Metsola tha se Europa mund të vazhdojë të jetë lider në industrinë farmaceutike, por duhet të bëhet “shumë më e shkathët”, veçanërisht për çmimet, provat klinike dhe hedhjen e produkteve të reja në treg.
Ndërsa mbështeti negociatat mes Uashingtonit dhe Berlinit, Metsola paralajmëroi se një rritje e tarifave amerikane ndaj mallrave gjermane mund të binte ndesh me marrëveshjen tregtare BE-SHBA, e cila parashikon një tavan prej 15% për tarifat.
Ajo iu referua një klauzole pezullimi të përfshirë në marrëveshje dhe tha se mund të ketë “pasoja ligjore” nëse administrata amerikane vendos në shënjestër vende të veçanta të BE-së.
Metsola e përsëriti paralajmërimin edhe për tarifat amerikane ndaj çelikut dhe aluminit, duke theksuar se mosrespektimi i marrëveshjes do të mund të aktivizonte klauzolën e pezullimit.


