Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka akuzuar Aleksandar Vuçiqin se po sulmon listën e përbashkët të partive shqiptare, duke thënë se kjo çështje duhet parë përtej numrit të mandateve që koalicioni shqiptar mund të fitojë në zgjedhjet e 25 tetorit.
“Pse A. Vuçiç duket kaq i shqetësuar për bashkimin e partive shqiptare në një listë të përbashkët? Kjo sjellje e tij duhet parë përtej numrit të mandateve që Koalicioni Shqiptar mund të fitojë”, shkroi Kamberi.
Sipas tij, nuk është vetëm numri i deputetëve shqiptarë që do të fitojnë vende në Parlament që ka rëndësi, por edhe mënyra se si do ta përdorin përfaqësimin e tyre politik.
“Çështja nuk është domosdoshmërisht se sa deputetë shqiptarë do të hyjnë në Parlament, por çfarë do të përfaqësojnë ata politikisht dhe çfarë mund të bëjnë me atë përfaqësim”, theksoi ai.
Kamberi vlerësoi se deklaratat e Vuçiçit, i cili sipas tij i ka cilësuar anëtarët e listës shqiptare si “armiq”, synojnë ta zhvendosin debatin nga gara zgjedhore në besnikëri ndaj shtetit serb.
Ai tha se nëse lista jonë është certifikuar nga Komisioni Zgjedhor Republikan në përputhje me procedurat ligjore, atëherë akuzat e tij se është ‘armik’ nuk janë thjesht kritika ndaj një kundërshtari politik.
“Është një mënyrë për ta zhvendosur debatin nga konkurrenca zgjedhore në çështjen e besnikërisë ndaj shtetit, duke e paraqitur një kundërshtar politik si një kërcënim për shtetin”, tha Kamberi.
Ai shtoi se kur një ish-president dhe kandidat për kryeministër paraqet një listë zgjedhore të një pakice kombëtare si armik, ai e zhvendos debatin nga programi, të drejtat dhe rezultatet në besnikërinë ndaj vetes dhe partisë-shtet.
Sipas tij, narrativa që ai ka ndërtuar synon të përçajë listën tonë, të ushtrojë presion politik mbi partitë dhe kandidatët e tjerë që mund të bashkëpunojnë me ne dhe të përgatisë terrenin që çdo kritikë jonë ndaj qeverisë të interpretohet si një veprim kundër interesave të Serbisë.
Ai tha se kjo është një taktikë e njohur e polarizimit politik.
“Në deklaratat e tij të fundit para zgjedhjeve, Vuçiqi ka folur edhe për shërbime të huaja dhe për mbështetjen e pretenduar të kundërshtarëve nga aktorë të jashtëm.
Në këtë kontekst, një listë shqiptare që synon përfaqësim më të fuqishëm, që kërkon barazi dhe që bashkëpunon politikisht me përfaqësues nga Kosova, po përdoret për ta ushqyer narrativën e tij se Serbia po përballet me presione nga jashtë.
Ky narracion i tij, me gjuhë të urrejtjes e luftënxitës, ka për qëllim të ruajë stereotipet e kahershme ndaj shqiptarëve, si “armiq shekullorë”.
Për një pushtet që është mësuar të negociojë me përfaqësues të pakicave përmes marrëdhënieve të varësisë politike, një përfaqësim shqiptar i bashkuar, kritik dhe i pavarur mund të jetë më i vështirë për t’u menaxhuar sesa një numër më i madh deputetësh që janë të gatshëm të përshtaten me pushtetin.


