Ideja e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër ka shkaktuar reagime të forta edhe në Serbi, ku ekspertë dhe analistë e kanë cilësuar atë si projekt joracional, me kosto të jashtëzakonshme dhe me pasoja të mundshme për mjedisin dhe banorët e Kosovës.
Vuçiq e përmendi mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit si kundërpërgjigje ndaj masave të autoriteteve në Prishtinë ndaj komunitetit serb. Presidenti serb tha se Beogradi mund të ndërmarrë një hap të tillë dhe ngriti pyetjen se “çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen pastaj”.
Sipas raportimeve të cituara nga Deutsche Welle, Vuçiq ka njoftuar gjithashtu formimin e një grupi pune me inxhinierë dhe ekspertë të ndërtimit për të shqyrtuar mundësinë e realizimit të projektit.
Megjithatë, profesorin në pension të inxhinierisë hidraulike dhe hidrologjisë, Jovan Despotoviq, ideja e Vuçiqit i duket praktikisht e parealizueshme në një afat të shkurtër. Ai ka deklaruar për FoNet se ndryshimi i rrjedhës së Ibrit do të kërkonte ndërhyrje të mëdha në terren, përfshirë punime të gjera, tunele dhe diga, ndërsa do të ishte në kundërshtim edhe me rregulloret evropiane.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për pasoja serioze ekologjike, pasi ndërhyrja në rrjedhën natyrore të lumit do të mund të ndikonte në të gjithë pellgun e Ibrit dhe më gjerë.
Janjiq: Projekt ideologjik dhe propagandistik
Kryetari i Bordit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, e ka cilësuar deklaratën e Vuçiqit si një rikthim te idetë nacionaliste të viteve ’80.
Sipas tij, ndryshimi i rrjedhës së Ibrit ishte diskutuar që në vitet 1983–1985 dhe lidhej me ide nacionaliste për Kosovën.
Janjiq tha për DW se sot kjo ide nuk paraqet një zgjidhje reale të ndonjë problemi, por më shumë një projekt ideologjik dhe propagandistik që synon të krijojë tensione dhe të ushqejë frikën në rajon.
Ai ka theksuar se kërcënimi për dëmtimin e Kosovës nuk është realist, duke pasur parasysh përmasat e projektit dhe kohën që do të kërkonte realizimi i tij.

