Kalo te përmbajtja
Demos
Keni lajm?
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Menyja
  • Ballina
  • Çka ka 3?
  • Lajme
  • Ndërkombëtare
  • Sport
  • Video
  • Magazine
  • Teknologji
  • Stil
  • Këndvështrime
Pamja
Demos

Gazeta Demos ngadalë por sigurt, po bëhet burim i besueshëm i informacionit, i hapur ndaj opinionit publik, duke i trajtuar të gjithë të barabartë. Gazeta Demos është shenjë identifikuese e fjalës së lirë, gjithnjë në frymën e demokracisë prej nga buron edhe emri i saj.

Rubrikat

VideoLajmeNdërkombëtareSportMagazineTeknologjiStilKëndvështrime

Demos

Rreth neshPolitika editorialeKontaktPrivatësiaKeni lajm?
Gazeta Demos SH.P.KRr. “Uran Ajeti”, 68, Prishtinëinfo@gazetademos.commarketing@gazetademos.comTel: +383 48 579 555
© 2026 Demos. Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Lajme

Këshilli i Sigurisë në Shqipëri mblidhet pas rastit Hyseni: Të respektohen hetimet

GD
Gazeta Demos28 shtator 2026 në 17:22
Këshilli i Sigurisë në Shqipëri mblidhet pas rastit Hyseni: Të respektohen hetimet

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shqipërisë u bëri thirrje të hënën institucioneve që të respektojnë hetimet e pavarura të drejtësisë, pas vendimit për arrest shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së shërbimit inteligjent, Vlora Hyseni, nën dyshimet për zbulim të sekreteve shtetërore.

“Hetimet e drejtësisë të zhvillohen tërësisht të pavarura dhe të respektohen nga të gjithë. Çështjet individuale të mos kthehen në krizë besimi ndaj shtetit dhe ndaj institucioneve të sigurisë”, tha Presidenca e Shqipërisë pas mbledhjes së Këshillit.

Mbledhja, e cila zgjati rreth 90 minuta, të hënën, u thirr nga presidenti Bajram Begaj për të diskutuar zhvillimet e fundit dhe ndikimin e tyre në institucionet e sigurisë.

Në njoftimin e Presidencës nuk përmendet me emër Hyseni, por mbledhja u zhvillua ndërsa ish-shefja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH) po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Këshilli tha se institucionet e sigurisë nuk duhet të konkurrojnë me njëra-tjetrën dhe se mosbesimi institucional duhet të zëvendësohet me bashkëpunim, koordinim dhe komunikim profesional.

“Shqipëria ka institucione, ka partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë, ka profesionistë dhe kapacitete”, tha Presidenca, duke u bërë thirrje institucioneve të punojnë së bashku për të forcuar shtetin, sigurinë kombëtare dhe besimin e qytetarëve.

Në mbledhje morën pjesë kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, ministrat e Mbrojtjes, Punëve të Brendshme dhe Punëve të Jashtme, drejtori i Policisë së Shtetit dhe drejtues të tjerë të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes.

SHISH-i u përfaqësua nga Elvis Lila, drejtor i Departamentit Operativ, të cilit i janë deleguar përkohësisht kompetencat administrative të drejtorit të institucionit.

Në mbledhje u ftuan edhe përfaqësues të SPAK-ut dhe të Prokurorisë së Përgjithshme, tha Presidenca.

Rama, i cili një ditë më parë kishte njoftuar për mbledhjen, tha se Këshilli ishte vendi i duhur për të diskutuar përgjegjësitë institucionale dhe garancitë që duhet të mbrojnë institucionet e sigurisë kur drejtuesit ose punonjësit e tyre bëhen subjekt i një hetimi penal.

“Kur puna e hetimit ngjitet deri tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit”, tha Rama.

Ai e ka cilësuar gjithashtu si “ekstreme” masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit.

Më 24 shtator, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit shtëpiak ndaj Hysenit, e cila dyshohet për zbulim të të dhënave sekrete dhe përkrahje të autorit të krimit në kuadër të hetimeve për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Më 22 shtator, Rama njoftoi shkarkimin e Hysenit.

Prokurorët dyshojnë se Hyseni i ka dhënë informacione Ergys Agasit, një prej personave të akuzuar në dosjen “AKSHI”, që lidhet me dyshime për manipulim të tenderëve shtetërorë.

Hyseni drejtoi SHISH-in nga viti 2023. Më herët, ajo kishte shërbyer si zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nga ku u shkarkua në vitin 2021 nga presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti.

Këshilli i Sigurimit Kombëtar është organ këshillimor i Presidentit të Shqipërisë që shqyrton çështje të sigurisë, mbrojtjes kombëtare dhe koordinimit ndërinstitucional. /REL

sigurisëkëshillihyseni

Të ngjashme

Mblidhet Këshilli i Sigurisë në Shqipëri, në qendër dosja Hyseni

Mblidhet Këshilli i Sigurisë në Shqipëri, në qendër dosja Hyseni

08:27
Zbardhen diskutimet në Këshillin e Sigurisë për çështjen Hyseni, Presidenca jep detajet

Zbardhen diskutimet në Këshillin e Sigurisë për çështjen Hyseni, Presidenca jep detajet

13:43

Më shumë nga Lajme

  • 19:20Haxhiu kërkon që Smith dhe Trendafilova të shpallen “nongrata” në Kosovë
  • 19:17Gucati: E mirëpresim deklaratën e Kuvendit, presim projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara
  • 19:02Aksident zingjiror mes gjashtë veturave në magjistralen Prishtinë-Pejë - PAMJE nga vendi i ngjarjes
  • 18:58VV dhe PDK bashkë në qeverisje? Rrustem Mustafa vjen me propozimin e papritur për “Koalicionin e Madh”
  • 18:55Rrahmani: Mbështetja e deklaratës për Gjykatën Speciale, por jo e ligjit, është dyfytyrësi politike