Policia e Durrësit ka sekuestruar 80 kilogramë kanabis të arritur nga Kanadaja dhe ka arrestuar tre shtetas nga Kosova
Droga ishte fshehur brenda një automjeti të porositur në Kanada dhe u zbulua nga qentë e antidrogës në portin e Durrësit. Lënda narkotike, e ndarë në 127 pako të markuara “Gelato”, kapte vlerën e rreth 1 milion eurove dhe kishte si destinacion tregun e Shqipërisë dhe Kosovës.
Gjatë aksionit u sekuestruan gjithashtu 3 automjete, 5 telefona celularë dhe rreth 11 mijë euro.
Njoftimi i policisë
Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike kanabis nga Kanadaja drejt Shqipërisë.
Sekuestrohen rreth 80 kg kanabis e llojit “Gelato”, me përmbajtje të lartë THC dhe vlerë tregu rreth 1 milion euro.
Arrestohen 3 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, strukturat e Doganave, si dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Anchor”, rezultat i një hetimi të thelluar të zhvilluar me metoda speciale të hetimit, në kuadër të një procedimi penal.
Si rezultat i veprimeve hetimore intensive dhe të koordinuara, u bë i mundur dokumentimi i një skeme të dyshuar të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim, ku u sekuestruan, në Portin e Durrësit, 127 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e njohur në treg me emërtimin “Gelato”, me peshë totale rreth 80 kilogramë dhe me përmbajtje të lartë THC.
Gjithashtu, u sekuestruan 3 automjete, 5 aparate celularë dhe rreth 11 000 euro cash.Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1 milion euro.



