Qeveria e Kosovës pritet ta rikthejë për shqyrtim në Kuvend Kodin e ri Civil, pas dështimit të miratimit të tij në vitin 2022 për shkak të kundërshtimeve lidhur me dispozitën për bashkimet civile mes personave të së njëjtës gjini.
Sipas programit legjislativ të Qeverisë Kurti 4, projektligji do t’i nënshtrohet rishikimit dhe pritet t’i dërgohet Kuvendit duke rihapur mundësinë e debatit politik për këtë çështje.
Megjithatë, për kundër shumë përpjekjeve dhe premtimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të siguruar votat për kalimin e projektligjit të Kodit Civil, ky i fundit tash e katër vite po zvarritet herë në Qeveri e herë në Kuvend.
Disa nga deputetët e mazhorancës që kanë votuar kundër këtij Projektligji vazhdojnë të mos i ndryshojnë qëndrimet e tyre, derisa edhe nga opozita kanë qëndrime të njëjta.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi, ka deklaruar për “Front Online” se fillimisht duhet të shihet se çfarë ndryshimesh do të pësojë Kodi i ri Civil gjatë procesit të rishikimit.
“Duhet të presim dhe të shohim fillimisht se çfarë ndryshon në rishikim ky projektligj”, ka thënë Demi-Murtezi.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, njëherësh ish-deputeti i LVV-së, ka paralajmëruar kundërshtim edhe më të madh ndaj Kodit të ri Civil, nëse projektligji rikthehet në Kuvend me të njëjtën përmbajtje si në vitin 2022.
Rrahmani duke folur për “Front Online” ka bërë thirrje që deputetët ta shqyrtojnë me kujdes përmbajtjen e projektligjit.
“Kundërshtimi ndaj këtij Kodi Civil, nëse sillet me të njëjtën përmbajtje, do të jetë shumëfish më i madh se në mandatin e kaluar”, ka deklaruar Rrahmani.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që para se të votojnë për këtë projektligj, të reflektojnë për vendimin e tyre dhe përgjegjësinë që mbart ai.
“I bëj thirrje secilit deputet që para se të niset për në Kuvend për ta votuar këtë Kod, së pari t’ua shpjegojë fëmijëve të tij, babait dhe nënës së tij se çfarë po voton dhe çfarë pasoja sjell ajo votë. Pastaj, le të niset për në Kuvend dhe ta marrë përgjegjësinë e plotë për votën e vet”, ka thënë ai.



