Dialogu mbetet kusht kyç që Kosova dhe Serbia të përparojnë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa mungesa e progresit do të ketë kosto politike dhe ekonomike. Kjo thuhet, ndër të tjera, në draftraportet vjetore për Kosovën dhe Serbinë, që Komisioni Evropian do t’i publikojë më 4 nëntor.
Për Serbinë thuhet se ka vepruar në kundërshtim me detyrimet e saj, përfshirë lobimin kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Këshillin e Evropës dhe në Interpol, shkruan RTK.
Sipas draftit, këto veprime dhe retorika e përsëritur nxitëse e zyrtarëve serbë kanë vazhduar të minojnë normalizimin. Serbia kritikohet gjithashtu se nuk ka ndërmarrë asnjë hap të rëndësishëm për të siguruar llogaridhënie për sulmin në Banjskë, në shtator të vitit 2023.
Situata në veri vlerësohet e qetë, por e brishtë. Kosovës i vihet në barrë se ka ndërmarrë në mënyrë të përsëritur veprime në kundërshtim me detyrimet nga dialogu, përfshirë aksione policore ndaj strukturave të mbështetura nga Serbia.
Në draft përmendet se nuk ka pasur përparim drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kosova ftohet ta nisë këtë proces, në përputhje me detyrimet nga dialogu.


