Dorëzimi i projektligjit të Partisë Demokratike të Kosovës për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar është komentuar edhe në Komisionin Evropian. PDK-ja e ka proceduar këtë nismë në Kuvend më 21 shtator, pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Gazetari në Bruksel, Ekrem Krasniqi, e pyeti zëdhënësin e Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, nëse BE-ja ka shqyrtuar ndonjë skenar në rast se në apel do të urdhërohej rigjykimi i ish-presidentit Hashim Thaçi dhe tre të tjerëve, përfshirë mundësinë që procedurat të zhvilloheshin në gjykatat e Kosovës.
Wigand tha se Komisioni Evropian nuk komenton njoftimet apo planet e tilla, ndërsa përsëriti qëndrimin e BE-së për Dhomat e Specializuara.
“Të themeluara me vendim të Kuvendit të Kosovës në 2014, 2015, duke vepruar brenda sistemit ligjor të Kosovës dhe punën e të cilave BE-ja e ka mbështetur vazhdimisht. Puna e saj është e rëndësishme për sigurimin e llogaridhënies, duke u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet e Kosovës. Dhe siç e kam theksuar këtu edhe më parë, personat e dënuar në aktgjykimin e shkallës së parë sigurisht që kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit në një panel të veçantë të apelit të Specializuar të Kosovës. Por përsëri, mendoj se mbështetja jonë për Dhomën është e qëndrueshme dhe do të mbetet e tillë”, tha ai.
I pyetur nëse Prokuroria mund të ndjekë penalisht të gjitha krimet e pretenduara të luftës të periudhës 1998-1999, Wigand nuk dha një përgjigje të re, por iu referua qëndrimit të mëhershëm të BE-së.




