Komisioni i Ligjeve ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Vendimi u mor me nëntë votat e mazhorancës, ndërsa raporti i Komisionit do t’i dërgohet për shqyrtim seancës plenare, raporton A2 CNN.
Gjatë mbledhjes, përfaqësuesi i PD-së në Komision, deputeti Gjin Gjoni, paraqiti arsyet pse opozita kërkon shkarkimin e kreut të shtetit, duke renditur disa shkelje që sipas tij janë kryer gjatë ushtrimit të detyrës nga Presidenti Begaj.
Sipas Gjonit, dekreti për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Tiranës është anti-kushtetues dhe përbën tejkalim të kompetencave nga ana e Presidentit.
“Grupi i PD ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e Presidentit Begaj. Ne jemi të bindur se Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Kemi arritur në konkluzionin që Begaj ka konsumuar 7 shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, mjaftueshëm për ta shkarkuar atë.
