Komuna e Pejës sot ka publikuar sqarimin e Qendrës për Punë Sociale lidhur me raportin e Inspektimit të Jashtëzakonshëm, pas rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor 2026.
QPS-ja ka paraqitur veprimet që thotë se i ka ndërmarrë gjatë trajtimit të rastit, duke përfshirë intervenimin fillestar, vizitat në terren, vlerësimet profesionale dhe bashkëpunimin me institucionet shëndetësore e arsimore.
Sipas QPS-së, gjatë trajtimit të rastit janë marrë raporte nga shkolla “The Cambridge School” dhe Qendra e Shëndetit Mendor në Pejë, ndërsa janë realizuar edhe takime me prindërit dhe familjarët për të vlerësuar rrethanat dhe gjendjen e fëmijës.
Institucioni thotë se ka marrë pjesë edhe në procedurat gjyqësore, ku ka paraqitur vlerësimet profesionale dhe rekomandimet për mbështetjen psikologjike të fëmijës.
QPS-ja ka theksuar se pas ngjarjes tragjike të 25 tetorit, kur fëmija mbeti pa përkujdesje prindërore, ka ndërmarrë veprime urgjente për vendosjen e tij në një ambient të sigurt dhe sigurimin e kujdestarit ligjor, në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë.
Megjithatë, në komunikatë bëhet e ditur se raporti i Inspektoratit ka evidentuar edhe disa mangësi në funksionimin e Qendrës për Punë Sociale.




