Si pasojë e të reshurave të shiut, që nisën të martën herët e s’u ndalën për pothuajse asnjë moment, komuna e Shtimes ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në tërë territorin.
Ky vendim u mor nga kryetari Qemajl Aliu, i cili doli në mbrëmje për të vlerësuar gjendjen e cila del të jetë e rënduar.
“Të nderuar qytetarë, reshjet e pandërprera të ditëve të fundit kanë shkaktuar vështirësi serioze në disa zona të komunës. Duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë tona institucionale, kam marrë vendimin që në gjithë territorin e Komunës së Shtimes të shpallim gjendje emergjente, me qëllim që të reagojmë me efikasitet dhe të mbrojmë sigurinë e të gjithëve”, tha Aliu.
Ai tha se gjatë ditës së nesërme pritet të mblidhet sërish Shtabi Emergjent, i cili tashmë gjendet në terren dhe po zhvillon veprimet e nevojshme për menaxhimin e situatës.
