Organizata Albanians for America (AFA) dhe një numër organizatash të komunitetit shqiptaro-amerikan i kanë drejtuar një letër të hapur Presidentit Donald J. Trump, duke e cilësuar si “paqebërësin e shekullit” dhe duke e inkurajuar fuqimisht që të mbështesë përmbylljen e procesit të njohjes reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në letrën e firmosur nga AFA dhe organizatat bashkëpunëtore, theksohet mbështetja e plotë për thirrjet për implementimin e menjëhershëm të njohjes reciproke si zgjidhja e vetme për paqen afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
“Njohja reciproke nuk është thjesht një formalitet diplomatik, është rruga më efektive dhe pragmatike përpara. Zgjatja e status quo-së është destabilizuese dhe rrezikon sigurinë rajonale dhe interesat amerikane,” thuhet në letër.
Letra nënvizon se Kosova është ndër partnerët më të besueshëm të SHBA-së, duke kujtuar se ajo është vendi më pro-amerikan në botë, vendi i vetëm në Evropë që ka arritur marrëveshje për pranimin e personave nga vende të treta, dhe shteti i parë që ka vendosur tarifë zero për mallrat amerikane.
Gjithashtu theksohet roli strategjik i pranisë së forcave amerikane dhe NATO-s në Kosovë.
Nga ana tjetër, letra dënon afërsinë gjithnjë në rritje të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, gjë që konsiderohet kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin dhe interesat amerikane në rajon.
