Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka shkruar për forumin e mbajtur në Dubrovnik, ku janë takuar përfaqësues shtetesh, diplomatë e mendimtarë politikë për të diskutuar ‘mbi rendin e ri ndërkombëtar’.
“Në forumin e sivjetshëm të Dubrovnikut, ku u mblodhën përfaqësues shtetesh, diplomatë e mendimtarë politikë për të diskutuar mbi rendin e ri ndërkombëtar, pata rastin të përfaqësoj qëndrimin e Kosovës për çështjet që prekin rajonin tonë dhe të ardhmen e tij evropiane. Në margjinat e forumit zhvillova një takim me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të Kroacisë, Gordan Grlić Radman. Kroacia mbetet një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Kosovës. Biseduam për marrëdhëniet tona shumë të mira, për bashkëpunimin në siguri dhe mbrojtje, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme kroate ndaj rrugës euroatlantike të Kosovës, përfshirë NATO-n dhe Këshillin e Evropës. E falënderova Ministrin Radman për mikpritjen në Dubrovnik, për organizimin e këtij forumi të rëndësishëm dhe për përkrahjen e qartë që Kroacia i ka dhënë Kosovës në momentet e saj të rëndësishme’, ka shkruar Konjufca në Facebook.
