Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca paralajmëroi se Gjykata Kushtetuese mund ta bëjë një “tradhti shtetërore” ndërsa foli për aktgjykimin që deri në fund të muajit pritet ta marrë instanca më e lartë gjyqësore, që është mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, lidhur me mënyrën e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Konjufca tha në një mbledhje të partisë se Kushtetuesja “nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës”, ndërsa përmendi fillimisht dy opsione.
“Tash gjykata është para një vendimi të madh. Kushtetuta nuk i jep kurrfarë supremacie në relacion me Kryesinë e Kuvendit partisë fituese të serbëve. Prandaj gjykata nuk ka çfarë të interpretojë përtej Kushtetutës. Ky është akti më i lartë Republikës. Ose do të çelet rruga që Kuvendi të vazhdojë, ose do të shkojmë në zgjedhje të reja”, tha ai.
“Por skenari i tretë të cilin as që mund ta imagjinoj, është ai më i keqi i mundshëm”, tha Konjufca. “Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, do të thoja unë. Një skenar i cili ia jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të jep peng i Listës Serbe”.
