Kosova do të ketë një ndërmarrje të re publike për ruajtjen e energjisë elektrike, e cila do të mundësojë grumbullimin e tepricave të energjisë dhe shfrytëzimin e tyre në periudhat kur kërkesa është më e lartë.
Korporata për Ruajtjen e Energjisë (KRE Sh.A.) do të ketë në pronësi dhe do të operojë sistemin e baterive në Istog, me fuqi prej 125 megavatësh.
Ministria e Ekonomisë ka mbajtur takimin e parë konstituiv të Bordit të Korporatës për Ruajtjen e Energjisë të mërkurën, ku morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në realizimin e projektit.
Kurti tha se themelimi i kësaj korporate i shton sistemit energjetik të Kosovës një kapacitet që deri më tani i ka munguar, duke theksuar se investimi do të ndikojë edhe në zvogëlimin e nevojës për import të energjisë elektrike.
“…Programi kompakt ka vlerën prej 236.7 milionë dollarë, me ç’rast 202 milionë dollarë janë grand nga SHBA dhe 34.7 milion janë kontribut nga Qeveria e Republikës. KRE do të ketë pronësi dhe do të operojë bateritë në Istog, me fuqi prej 125 megavat. Bashkë me sistemin prej 90 megavatorësh të KOSTT-it në Ferizaj, vendi ynë do të ketë 340 megavat orë kapacitet të ri në ruajtjen e energjisë. Kështu zvogëlojmë nevojën për importe…”, tha ai.
