Gëzim Gashi, konsull i Republikës së Kosovës në Frankfurt, është përfshirë në një diskutim në rrjetet sociale, ku përmendet emri i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Pavarësisht se Thaçi tash e më shumë se 5 vjet është në Hagë, kjo nuk e ka penguar konsullin Gashi që ta ‘lëshojë dorën’ me një pëlqim.
Konsulli i Kosovës në Frankurt ka pëlqyer një postim në rrjete sociale ku në drejtim të Hashim Thaçit bëhen akuza të rënda, përfshirë vrasje e plaqkitje.
Postimi është bërë nga i ashtuquajturi gazetar me emrin ‘Vudi Xhymshiti’, e të cilin e ka pëlqyer konsulli kosovar në Frankurt.
“E kuptoj si disa e quajnë heroizëm kur një politikan mbështillet me lavdinë e luftës për ta arsyetuar një plaçkitje njëzetvjeçare. E kuptoj si për një pakicë, flamuri kthehet në monedhë dhe lavdia në perde tymi, ndërsa Kosova zhvishet vit pas viti, si një shtëpi e grabitur natën nga ata që betoheshin se do ta ruanin ditën. E kuptoj si në emër të “paqes” e patën shpallur heroizëm ruajtjen dhe instalimin i interesave të Serbisë në zemër të Kosovës. E kuptoj edhe më keq, si në këtë teatër hijesh u vranë politikanë, aktivistë e gazetarë, jo gjithmonë me plumb, por me errësirë, me harresë, me baltë. E kuptoj se si e vërteta mbytet ngadalë, që të mos bëjë zhurmë”, thuhet në këtë postim me akuza të rënda, për të cilat nuk ofrohet asnjë fakt, e të cilin e ka pëlqyer Gashi.
Në përgjigjet që Konsullata ia ka përcjellur Nacionales, Gashi është arsyetuar se pëlqimin e ka bërë pa qëllim.
“Për qartesimin tuaj, pelqimi i një postimi i tillë ka ndodhur pa qëllim dhe se Konsulli i Pergjithshem nuk përfshihet në diskutime të tilla”, thuhet në përgjigje.
Në përgjigje thuhet më tutje se çështjet e drejtësisë janë të ndara, dhe ata nuk ndërhyjnë. Nacionale e pyeti Konsullatën nëse Gashi beson njëmend se Thaçi ishte përfshirë në vrasje e plaqkitje. Përgjigja ishte “Jo nuk beson”.