Gert Jan Koopman, drejtor i Përgjithshëm për Negociatat me Vendet e Fqinjësisë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, ka deklaruar se beson që duhet të nisë shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Megjithatë, ai ka theksuar se procesi po përballet me pengesa, duke përmendur mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, zhvillimet në veri të vendit dhe çështjen e Dhomave të Specializuara.
‘’Personalisht, besoj se është shumë e rëndësishme që të fillojmë shqyrtimin e aplikimit të saj. Mendoj se, siç e dini, pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën janë hezituese. Por nuk bëhet fjalë vetëm për këto pesë shtete. Ka pasur gjithashtu probleme në veri të vendit dhe tani është rikthyer çështja e Dhomave të Specializuara’’, ka deklaruar ai.
Koopman e ka cilësuar si ‘’jashtëzakonisht të padobishme’’ miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian.
‘’E kuptoj se sot është miratuar një ligj. Kjo është jashtëzakonisht e padobishme. Unë do ta shihja çështjen në mënyrë të kundërt: për shkak se kemi një situatë delikate institucionale, me pesë shtete që nuk e njohin Kosovën, vendi në të gjitha këto çështje të tjera duhet vërtet të tregojë dhe të dëshmojë plotësisht përkushtimin e tij ndaj rrugës evropiane’’, ka shtuar ai.




