Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 2,6 % në muajin shtator 2026, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2025, gjegjësisht në vlerë prej 534,0 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 520,5 milionë euro në vitin 2025. Eksporti mbulon importin me 17,0 %.
Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 643,4 milionë eurosh gjatë muajit shtator 2026, ndërsa eksportet kanë arritur në 109,4 milionë euro.
Si rrjedhojë, deficiti tregtar ka kapur vlerën prej 534 milionë eurosh, duke shënuar rritje prej 2,6 për qind krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, kur kishte qenë 520,5 milionë euro.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave gjatë shtatorit 2026 është rritur për 27,5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025. Megjithatë, edhe importi ka vazhduar të rritet, duke regjistruar një rritje vjetore prej 6,1 për qind.
Pavarësisht rritjes më të shpejtë të eksporteve, vlera e mallrave të importuara vazhdon të jetë shumë më e lartë se ajo e mallrave të shitura jashtë vendit. Sipas ASK-së, eksportet në shtator kanë mbuluar vetëm 17 për qind të importeve, që nënkupton se për çdo 100 euro mallra të importuara, Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej vetëm 17 eurosh.
Në vlerë monetare, diferenca ndërmjet importeve dhe eksporteve gjatë këtij muaji ka arritur në 534 milionë euro, duke dëshmuar hendekun e vazhdueshëm ndërmjet mallrave që Kosova blen nga tregjet e jashtme dhe atyre që arrin t’i shesë në tregjet ndërkombëtare.
Sa i përket strukturës së eksporteve, metalet bazë dhe artikujt prej tyre kanë përbërë 24,3 për qind të eksporteve të përgjithshme. Pas tyre renditen produktet minerale, me 17,1 për qind, plastika, goma dhe artikujt prej tyre, me 10,3 për qind, si dhe ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, me 10,1 për qind. Artikujt e ndryshëm të prodhuar kanë përbërë 6,9 për qind të eksporteve.
Në anën tjetër, struktura e importeve tregon se produktet minerale kanë pasur pjesëmarrjen më të madhe, me 19,8 për qind të importeve të përgjithshme. Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani kanë përbërë 11,8 për qind, mjetet e transportit 11,2 për qind, ndërsa makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike 11,1 për qind. Metalet bazë dhe artikujt prej tyre kanë përbërë 10,1 për qind të importeve.
Sipas të dhënave të ASK-së, eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian gjatë shtatorit 2026 kanë arritur në 34,2 milionë euro, që përbën rreth 31,3 për qind të eksporteve të përgjithshme. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, eksportet në këtë grup vendesh janë rritur për 22,1 për qind.
Ndër partnerët kryesorë të Kosovës për eksport në Bashkimin Evropian janë Gjermania, me 9,8 për qind të eksporteve të përgjithshme, Holanda me 2,7 për qind dhe Bullgaria me 2,3 për qind.




