Vonesat në përgatitje, mospajtimet mes institucioneve përgjegjëse për organizimin dhe detyrimet e papërmbushura financiare po vënë në pikëpyetje mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Kosovë më 2030.
Lojërat Mesdhetare janë një ngjarje me shumë sporte, që zhvillohet çdo katër vjet dhe cilësohet si një ndër më të rëndësishmet pas Lojërave Olimpike.
Kosova nuk ka qenë asnjëherë mikpritëse e ndonjë ngjarjeje të përmasave të këtyre lojërave.
Prandaj, humbja e së drejtës për t’i organizuar ato mund të ketë pasoja që shkojnë përtej fushës sportive.
Pse po vihen në pikëpyetje lojërat?
Përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare po pengohen nga një sërë çështjesh që ende presin zgjidhje.
Në plan të parë janë detyrimet financiare ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), por edhe mungesa e pajtimit për planin organizativ.
Situata është bërë më urgjente për shkak të dy garancive të papaguara financiare për vitin 2026, në vlerë prej rreth dy milionë eurosh.
Për këtë arsye, ICMG-ja ka refuzuar së fundmi një takim me Kosovën.
Për më tepër, organizata ka paralajmëruar se Komiteti i saj Ekzekutiv do t’i shqyrtojë “papërgjegjësitë” e Kosovës në një takim më 19 dhjetor.
Mosrealizimi i këtyre pagesave lidhet me mospajtimet ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal.
Për organizimin e këtyre lojërave janë përgjegjëse tri institucione: Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Sportit; Komuna e Prishtinës, si komuna mikpritëse; dhe Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK).
Kryeministri Albin Kurti, duke folur në Kuvendin e Kosovës më 19 nëntor, pranoi se mungesa e bashkëpunimit mes Qeverisë së tij dhe Komunës së Prishtinës, që udhëhiqet nga Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, po e vë në rrezik zhvillimin e këtyre lojërave për herë të parë në Kosovë.
“Bashkëpunimi, komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë. Por, kjo nuk mund të thuhet edhe me Komunën e Prishtinës, prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë të nxehtë”, tha Kurti.
Kurti e akuzoi Ramën se nuk po pajtohet me përmbajtjen e masterplanit, i cili përcakton infrastrukturën e nevojshme dhe vendet ku do të zhvillohen garat në 24 sporte.
Ky dokument duhet të miratohet nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare dhe t’i dërgohet më pas ICMG-së.
“Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur, për shkak se kush bën mirë, nuk e ka kollaj të shtyhet me dikë që e bën të kundërtën”, tha Kurti.
Mospajtimet mes tyre, ndër të tjera, kanë të bëjnë edhe me qytetet ku duhet të zhvillohen garat e ndryshme.
Rama iu përgjigj Kurtit po të njëjtën ditë, duke thënë se Qeveria e tij është përgjegjëse për gjendjen rreth organizimit të këtyre lojërave.
“Pagesa s’është kryer. Emrat e delegacionit s’janë dërguar. Nuk jeni përgjigjur në email-e. Kush është dashur t’i bëjë këto? Qeveria”, shkroi Rama në Facebook, më 19 nëntor.
Radio Evropa e Lirë pyeti edhe Komitetin Olimpik të Kosovës se sa real është rreziku që vendi të humbë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare dhe çfarë duhet të bëjnë institucionet për ta shmangur një skenar të tillë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Çfarë humb Kosova nëse nuk i organizon lojërat?
Mbetet e paqartë nëse Kosova do t’ia dalë t’i adresojë shqetësimet e ICMG-së para mbledhjes së 19 dhjetorit dhe ta ruajë të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare.
ICMG-ja paralajmëroi në tetor se, gjatë mbledhjes së 19 dhjetorit, mund të vendoset për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme të Përgjithshme, në të cilën do të përcaktohej e ardhmja e Lojërave Mesdhetare 2030.
Bekim Salihu, analist politikash në Institutin GAP në Prishtinë, thotë për Radion Evropa e Lirë se pasojat nuk do të ishin vetëm sportive, por edhe ekonomike, institucionale dhe diplomatike.
“Humbja e organizimit të lojërave do të dëmtonte besueshmërinë e Kosovës, sidomos nëse do të lidhej me mospërmbushjen e zotimeve”, thekson Salihu.
Po ashtu, do të humbej edhe një mundësi e rëndësishme për promovimin ndërkombëtar të vendit, sipas tij.
Kur Kosova e fitoi të drejtën për organizimin e këtyre lojërave në vitin 2023, Kurti i kishte cilësuar ato si ngjarjen më të madhe sportive në historinë e vendit, përmes së cilës, besonte se do të promovohej Kosova në rrafshin ndërkombëtar.
Christian Krekel, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës (LSE), thotë për Radion Evropa e Lirë se humbja e së drejtës për organizimin e lojërave nuk do t’i ndihmonte aspak imazhit të Kosovës jashtë vendit.
“Nëse s’e bëni atë që keni marrë përsipër ta bëni, atëherë natyrisht se do të dërgoni mesazh të keq”, thotë Krekel.
Një shembull i pasojave që mund të sjellë dështimi i organizimit të një ngjarjeje të madhe sportive është ai i shtetit australian të Viktorias, i cili në vitin 2023 hoqi dorë nga mbajtja e Lojërave të Komonuelthit 2026, për shkak të rritjes së kostove.
Një raport i Auditorit të Përgjithshëm të Viktorias konstatoi se kostot e organizimit ishin nënvlerësuar që në fillim.
Në rritjen e tyre ndikuan nevojat për investime infrastrukturore, shpërndarja e garave në disa qytete, zgjerimi i programit sportiv, inflacioni dhe koha e kufizuar për përgatitje.
Edhe pse lojërat nuk u zhvilluan në Viktoria, përgatitjet dhe tërheqja nga organizimi i kushtuan këtij shteti të paktën 589 milionë dollarë australianë.
Një raport i Senatit australian evidentoi se ky vendim ngriti shqetësime edhe për reputacionin e Viktorias dhe të Australisë si destinacione për organizimin e ngjarjeve të mëdha ndërkombëtare.
Ekonomia
Salihu thotë se, nëse Lojërat Mesdhetare nuk do të zhvilloheshin në Kosovë më 2030, turizmi, hoteleria, gastronomia, transporti dhe sektorë të tjerë të shërbimeve do të humbnin mundësinë për të përfituar nga shpenzimet e vizitorëve dhe pjesëmarrësve.
Megjithatë, ai nënvizon se, pa një vlerësim të besueshëm, nuk mund të përcaktohet se sa do të ishin këto humbje.
Në Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 pritet të marrin pjesë delegacione nga 26 shtete të Evropës, Afrikës dhe Azisë.
Garat parashihet të zhvillohen në të paktën dhjetë qytete të Kosovës, ndërsa në to pritet të marrin pjesë rreth 5.000 sportistë.
