Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se është marrë vendim që në disa përfaqësi diplomatike të kalohet në votim me postë.
KQZ bën të ditur se bazuar në analizën e Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës, arsyeja e këtij vendimi është se në këto përfaqësi kapacitetet e stafit nuk janë të mjaftueshme për përmbushjen e kritereve minimale sipas rregulloreve zgjedhore për menaxher të Qendrave të Votimit dhe anëtarë të Këshillave të Vendvotime, nëse subjektet politike nuk dërgojnë përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, analiza thekson sfida shtesë operative, logjistike dhe financiare, përfshirë nevojën për viza dhe distancat e largëta, duke rekomanduar rishqyrtimin e vendimit të KQZ-së Nr. 01/3784-2025 për votim fizik në përfaqësitë përkatëse.
“Anëtarët e KQZ-së mbështetën rekomandimin që votimi të mos zhvillohet në 8-të përfaqësitë diplomatike në vijim dhe të udhëzohen votuesit që të votojnë përmes postës: Ankara – Turqi (16 votues), Shkup – Maqedoni e Veriut (14 votues), Kanbera – Australi (10 votues), Abu Dhabi – Emiratat e Bashkuara Arabe (10 votues), Iowa – ShBA (8 votues), Podgoricë – Mali i Zi (6 votues), Tiranë – Shqipëri (4 votues) dhe Tokio – Japoni (2 votues)”, thuhet në njoftimin e KQZ-së transmeton Klankosova.tv.
