Profesori i të drejtës penale, Kolë Krasniqi, e ka komentuar paraqitjen në gjykatë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që e bëri gjatë ditës në cilësinë e të dëmtuarit në rastin ku Faton Klinaku po akuzohet për kanosje ndaj tij.
Krasniqi tha se fillimi dhe përfundimi i gjykimit në këtë rast ishte tejet profesional, por tha se paraqitja e Kurtit në këtë seancë si i dëmtuar dhe refuzimi i tij që të paraqitet si dëshmitar në afera të ndryshme korruptive, tergon për qëndrime të ndryshme të tij.
“E përgëzoj Kurtin për shkuarjen dhe përgjigjen ndaj ftesës që të paraqitet në gjykatë, mirëpo në këtë rast është paraqitur vetëm si person i dëmtuar”.
“Paraqitja e tij në këtë seancë si person i dëmtuar dhe refuzimi i tij i mëparshëm që të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit për dhënien e informacioneve të caktuara lidhur me afera të ndryshme korruptive tregon për qëndrime të ndryshme të Kurtit në raport me sistemin e drejtësisë”, tha Krasniqi në Ediconin Special në Klan Kosova.