Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot në një konferencë për media, ka folur për deklaratën e saj presidenti amerikan Donald Trump parandaloi një përshkallëzim të mundshëm nga Serbia në Kosovë në “javët e fundit”.
Ajo u pyet për kritikat se ajo s’ka treguar për këto sulme të mundshme. Osmani tha se qytetarët kanë qenë të informuar për tendencat e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë.
Ajo e përmendi edhe një deklaratë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, për pozicionimin e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.
“Për ata që thonë se kinse qytetarët nuk kanë qenë të informuar për tendencat e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë këto të fundit, dua të bëjë me dije që kjo çështje është trajtuar në dhjetëra komunikata e deklarata të presidencës dhe është përmendur në shumë deklarata të institucioneve tona të tjera. Me siguri iu kujtohet që pikërisht në fund të majit ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedoni, kishte folur publikisht për këto tendenca destabilizuese të Serbisë, përfshirë pozicionimin e ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën duke dhënë informata konkrete për këto pozicionime. Ai u sulmua ashpër pikërisht sepse e informoi publikun për këto rreziqe, e tash janë pikërisht ata që e sulmuan që dalin e thonë pse nuk na keni informuar. Në fakt ka pasur informata për tendencat e vazhdueshme, destabilizuese të Serbisë të cilat i kemi ndarë vazhdimisht me publikun nëpërmjet jush si media. Megjithatë për shkak se shumë prej atyre informatave janë të klasifikuara, unë iu lus për mirëkuptim sepse ligji e ndalon që të ndahen në detaje”, tha ajo.