Berat Rukiqi nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka ngritur shqetësimin për, siç e cilësoi ai, një nga krizat më të mëdha energjetike në dekadat e fundit, duke kritikuar mungesën e reagimit institucional në vend.
Sipas Rukiqit, rritja e çmimeve dhe ndikimi i saj në ekonomi nuk po trajtohen me seriozitet nga Qeveria e Kosovës, pavarësisht sinjaleve të qarta të përkeqësimit të situatës ekonomike.
“Ajo që është evidente është se kjo po cilësohet si kriza më e madhe e energjisë, sidomos në 4–5 dekadat e fundit, qoftë për nga çmimet, se ku kanë shkuar, qoftë për nga potenciali se si mund të ndikojë. Është e çuditshme se si kjo çështje nuk po merret seriozisht në Kosovë. Në shkurt, inflacioni ishte 6%, por nuk kam parë asnjë aktivitet nga kryeministri dhe as nga ministrat që kanë dalë me propozime konkrete për këtë çështje. Këta që qeverisin dhe që kanë qeverisur në pesë vitet e fundit nuk e kanë ‘haberin’ për gjendjen e ekonomisë reale. Po flasim për xhepat e njerëzve dhe për qarkullimin e bizneseve, ” u shpreh ai.
Ai shtoi se mungesa e reagimit qytetar ndaj rritjes së çmimeve është një fenomen që kërkon analizë më të thellë sociale, ndërsa akuzoi kryeministrin për mosmenaxhim të duhur të situatës.
