Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka deklaruar se brenda partisë po zhvillohen diskutime për çështjen e presidentit, ndërsa ka bërë të ditur se edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës po bëhen diskutime për një emër konsensual.
Kryeziu-Hyseni, e ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se para se çështja të dërgohet në Këshillin e Përgjithshëm të LVV-së, emrat diskutohen brenda kryesisë së partisë teksa theksoi se edhe pse vetë nuk është pjesë e kryesisë, beson se mund të ketë pasur tashmë diskutime lidhur me këtë çështje.
Sipas saj, procesi për gjetjen e një kandidati konsensual është duke u zhvilluar mes organeve kompetente të LVV-së dhe LDK-së, ndërsa pritet që krerët e dy subjekteve të takohen për të diskutuar propozimet që do të dalin nga diskutimet e brendshme partiake.
Ajo u shpreh optimiste se në ditët në vijim mund të ketë një takim të radhës ku do të diskutohen emrat e mundshëm për president.
“Organi më i lartë i LVV-së është Këshilli i Përgjithshëm e para se me ardh diskutimi tek Këshilli i Përgjithshëm diskutohen emrat brenda kryesisë së Vetëvendosjes. Unë nuk jam pjesë e kryesisë, por mendoj se kryesia mund të jetë takuar deri më tani për të bërë një diskutim lidhur me çështjen e presidentit. Megjithatë, e di se rreth kësaj duhet të ketë lëvizjen nga të dyja partitë politike të cilat kanë qenë duke diskutuar për të ardhur drejt një emri konsensual, pra mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së. Mendoj që ky diskutim është shtrirë mes organeve kompetente të të dyja subjekteve dhe kur të jetë momenti që krerët të takohen mbi propozimet që do të rrjedhin si rezultat i diskutimeve të brendshme partiake. Po, besoj e dini se po flasim për një proces shumë të rëndësishëm dhe sigurisht për të ardh deri tek disa emra të cilat do të mund jetë njëri president i vendit duhet kohë dhe përderisa jemi brenda afatit tonë kohor nuk po besoj që do duhet shqetësohemi pasi besoj se ditëve në vijim do të ketë një takim të radhës për të diskutuar pikërisht mbi këta emra”, u shpreh Kryeziu-Hyseni.
Deputetja e LVV-së tha gjithashtu se mungesa e informacionit publik për procesin nuk nënkupton se nuk ka zhvillime, duke theksuar se të dyja partitë po tregohen të kujdesshme lidhur me diskutimet e brendshme.
“Mund të ketë konkretizime, diskutime mbi emra të caktuara por kjo nuk do të thotë se nuk po ndodhë diçka, të dy subjektet politike po marrin kohën e tyre që në takimin e radhës kur të hidhen emrat e propozuar nga to të ketë për kë të diskutohet dhe të shkohet drejt një konsensusi që njëri prej tyre të jetë i zgjedhur si president i vendit – fakti që nuk ndajmë informacione mbi këtë proces nuk do të thotë që nuk po ndodhë kurrgjë, partitë po tregohen të kujdesshme mbi diskutimet e brendshme deri tek takimi i kryetarëve”, u shpreh ajo.