Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të rikthehen në ulëset e tyre për të vijuar me seancën konstituive vetëm pasi aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese të publikohet zyrtarisht në faqen e saj.
Kanë kaluar tashmë dy javë që nga ndërprerja e përpjekjeve për konstituimin e legjislativit të nëntë, pas masës së përkohshëm të Kushtetueses, e cila ndalonte çdo veprim parlamentar në këtë drejtim deri më 8 gusht.
Sipas vendimit të fundit të shpallur më 8 gusht, deputetët tani kanë në dispozicion 30 ditë për të përmbyllur procesin e konstituimit. Gjatë kësaj periudhe, kryesuesi i seancës ka të drejtë të thërrasë mbledhje të Kuvendit çdo 48 orë, apo edhe më shpesh në përpjekje për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, si parakusht për funksionalizimin e tij dhe votimi do të jetë në mënyrë të hapur.
Njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se afati i ri për konstituimin e Kuvendit fillon vetëm pasi të jenë përmbushur tri kushte: publikimi i Aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, shpallja e tij në Fletoren Zyrtare dhe përfundimi i afatit të masës së përkohshme. Ai beson se vazhdimi i seancës së re, e pesëdhjetë e pesta, do të thirret shumë shpejt.
Baraliu thekson se që nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit, fillon të rrjedhë afati 30-ditor i përcaktuar nga Kushtetuesja, brenda të cilit mund të thirren seanca çdo 48 orë ose edhe më shpesh, në varësi të rrethanave dhe mundësive teknike.
Sipas Baraliut, juridikisht është thelbësore që vendimi të shpallet në mënyrë zyrtare, pasi masa e përkohshme mbetet në fuqi derisa kjo të ndodhë.
Profesori universitar, Mazllum Baraliu vlerëson si urgjente publikimin sa më të shpejtë të vendimit në Fletoren Zyrtare.
“Pikërisht atëherë kur publikohet aktgjykimi i plotë, kur shpallet në fletoren zyrtare dhe kur kalon afati i masës të përkohshme zyrtare, kur të përmbushen këto kushte, atëherë fillon rrjedhë afati i ri prej 30 ditësh. Dhe brenda atij afati mund të vazhdojnë aktivitetet e tyre për vendime dhe veprime anëtarët e kuvendit, gjegjësisht deputetët…Varet prej rrethanave dhe mundësive teknike. Përndryshe, ajo çka është me rëndësi juridike është që vendimi duhet të shpallen në fletoren zyrtare. Gjykata Kushtetuese ka thënë që masa e përkohshme ende vazhdon, derisa nuk shpallet. Rrjedhimisht, kjo nënkupton që pasi të shpallet në faqen zyrtare vendimi hyn në fuqi dhe mund të zbatohet, rrjedhimisht fillon edhe afati përkatës prej 30 ditësh të tjera të cilin e ka caktuar me aktgjykim kjo gjykatë kushtetuese. Në atë afat fillojnë të rrjedhin edhe afatet 48-orëshe. Brenda tyre munden edhe tri orë, dy orë, çdo pesë minuta, mund të bëjnë ata episode deputetët të seancës konstituive dhe të vazhdojnë ta konsistojnë kuvendin…Besoj që shumë shpejt del vendimi në Fletoren Zyrtare, sepse është shumë emergjente kjo punë, duhet të bëhet shpejt”, tha Baraliu për KosovaPress.
Krahas kësaj, njohësi i çështjeve politike, Shemsi Jashari, thekson se veprimet e para të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje, tregojnë mungesë gatishmërie për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Siç thotë ai, LVV-ja duhet të reflektojë patjetër, veçanërisht pas këtij vendimi.
“Gjykata me këtë vendim që nxori në pika të shkurtra tregoi se cila është rruga e ditur për të konstituuar Kuvendin. Mendoj që asnjëra prej subjekteve politike, me theks të veçantë LVV-ja, nëse nuk e ka për qëllim rrënimin e këtij sistemi demokratik që e kemi dhe nëse nuk e ka për qëllim dëmtimin e shtetit të Kosovës, do të duhej patjetër që të reflektonte pas publikimit të aktgjykimit. Dhe këtë 30 ditshin e afatit të ripërsëritur tashmë për të tretën herë, do të duhej ta shfrytëzonte për të krijuar institucionet dhe për të ecur tutje. Ka qenë shqetësuese reagimi i djeshëm i tyre në kor, i asaj pjesës së propagandës së tyre, por edhe qëndrimi zyrtar i LVV-së ku atakon Gjykatën Kushtetuese dhe shpreh mospajtim me vendimin që e ka nxjerrë”, thotë Jashari.
