Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka thënë se çështja e presidentit është emergjente, teksa ka theksuar se moszgjedhja e tij e çon vendin në zgjedhje.
“Për katër të dënuarit, besoj në korrigjimin në Apel dhe në një strategji për ta fituar këtë betejë. Nuk mund t’i mohojmë pengesat, pra çështjen e presidentit. Moszgjedhja na çon në zgjedhje. Nuk do të mund të merremi me Apelin vitin e ardhshëm, por në këtë muaj. Pa president, sot Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje. Në këto rrethana, është emergjente çështja e presidentit, që ta heqim këtë presion mbi shtetin”, tha Kurti.
“Por ne nuk mund t’i mohojmë pengesat e menjëhershme që i kemi përpara nesh drejt atij synimi e të cilat i kemi të gjithë së bashku. Pra, çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së re. Sepse moszgjedhja e tij ose saj na çon direkt në zgjedhje, dhe jo vetëm se na çon në zgjedhje, por na pamundëson të gjithëve të merremi edhe me strategjinë shtetërore e kombëtare, por edhe me apelin i cili në fakt është shumë i ngutshëm. Nuk do të mund të fillojmë të merremi me çështjen e apelit në vitin e ardhshëm. Por duhet të fillojmë të merremi në këtë muaj, pa president sot, Kosova për muaj të tërë është në zgjedhje dhe pa institucione funksionale”, shtoi Kurti.




