Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse do t’i ketë 61 votat për ta bërë Qeverinë nesër.
Ai nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth kësaj çështjeje pas pjesëmarrjes në një aktivitet në Prishtinë.
Kurti, njëkohësisht nuk ka treguar se a është në kontakt me dikë nga partitë e tjera për t’i siguruar votat.
Seanca e Kuvendit për qeverinë e re është caktuar për nesër me fillim nga ora 10:00.
Më 11 tetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, që të formojë Qeverinë e re të vendit, tetë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.
Derisa kanë mbetur edhe një ditë afat për ta paraqitur përbërjen e re të Qeverisë, deri më tani nga LVV nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret.
Nuk është raportuar për ndonjë takim apo negociatë me subjektet e tjera politike që do të mundësonte ndërtimin e një koalicioni qeverisës.
Kjo, pasi LVV-së i nevojiten të paktën 61 vota në Kuvend për të formuar Qeverinë, ndërsa në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse.