Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Irlandës për avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se vendi fillimisht duhet të marrë statusin e shtetit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim, shkruan Express.
Kurti i bëri këto deklarata në Dublin, ku po merr pjesë në takimin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), pas pritjes nga kryeministri irlandez, Micheál Martin.
Ai tha se Irlanda përbën një shembull suksesi të integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa shprehu pritjet që Kosova të ketë mbështetjen e presidencës irlandeze.
“Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze”, deklaroi Kurti.




