Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Paris në kuadër të Forumit të Paqes, ka zhvilluar takim me presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës, Peter De Roover.
Sipas njoftimit për media, në takim është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës, bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët, si dhe zhvillimet e fundit në vend e rajon.
“ Kryeministri Kurti e njoftoi presidentin De Roover për rezultatet e Kosovës në rrafshin ekonomik, ndër to rritjen e qëndrueshme ekonomike prej mesatarisht 6% në katër vitet e fundit dhe dyfishimin e investimeve të huaja direkte, kushtet e volitshme dhe përparësitë që vendi ynë ofron për investime të huaja. Ai veçoi investimet e rëndësishme që ka bërë qeveria në sektorin e bujqësisë dhe të mbrojtjes, si dhe reformat e ndërmarra në politikat e mirëqenies sociale. ”, thuhet në njoftim.
