Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Institutin për Mjekësi Ligjore (IML), ku janë dërguar mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Kurti ka bërë të ditur se mbetjet janë gjetur në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut. Sipas tij, sot është bërë një muaj nga fillimi i gërmimeve në këto lokacione, ndërsa procesi tashmë ka kaluar në fazën e ekzaminimeve dhe procedurave profesionale për identifikim dhe dokumentim.
“Në IML po kryhen ekzaminimet dhe procedurat e mëtejme profesionale për identifikim dhe dokumentim”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka njoftuar se deri më tani katër mostra të ADN-së, të marra nga mbetjet mortore të gjetura në Jabukë, janë dërguar për analizë në Hagë.
Postimi i plotë:
Bashkë me zëvendëskryeministren dhe ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, vizituam Institutin për Mjekësi Ligjore, ku janë bartur mbetjet mortore që dyshohet se u përkasin së paku 23 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit, të gjetura në tri lokacione në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në komunën e Zubin Potokut.
Teksa sot u bën një muaj nga data e fillimit të gërmimeve, procesi veçse është në një fazë tjetër. Në IML po kryhen ekzaminimet dhe procedurat e mëtejme profesionale për identifikim dhe dokumentim. Deri më tani, katër mostra të ADN-së, të cilat i përkasin mbetjeve mortore të gjetura në Jabukë, janë dërguar për analizë në Hagë.
Që nga përfundimi i luftës janë kryer rreth 2700 gërmime, e vetëm këtë vit nga 17 sosh janë gjetur gjithsej 30 mbetje mortore. Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë, përveçse i jep fund pritjes së familjeve, me ankth e vuajtje, i hapë rrugë kërkimit të drejtësisë.
Së fundi, investimi i mbi 814 mijë euro, ka mundësuar modernizimin e infrastrukturës së IML-së, rritjen e sigurisë dhe funksionalitetit të objektit dhe krijimin e kushteve më të mira per ofrimin e shërbimeve mjeko ligjore.
Janë rehabilituar dhe modernizuar salla e Autopsisë, Laboratorët e Toksikologjisë, Histopatologjisë dhe Antropologjisë, është krijuar një arkiv modern dhe hapësirë e përshtatshme për ruajtjen e dëshmive si dhe janë bërë investime në hapësirat për ekzaminime klinike mjeko ligjore.