Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur pajtim që të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja, ndërsa brenda kësaj partie vazhdojnë të jenë të pranishme dallimet rreth këtij procesi.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 20 korrik është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Ai ka theksuar se, pavarësisht dallimeve të dukshme brenda LDK-së, kjo parti tash gjendet përballë ofertës nga subjekti i parë fitues i zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, për një bashkëpunim të mundshëm.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Haziri ka bërë të ditur se parimet që LDK-ja i ka vendosur si parakushte për një marrëveshje të mundshme me LVV-në janë: marrëveshje për të gjitha institucionet – Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën – ose asnjë marrëveshje; agjenda shtetërore, politika sektoriale, programet qeverisëse, interesi i vendit si dhe ndarja e përgjegjësive.
“Këto tri parime neve na bashkojnë si Grup Parlamentar. Kuvendi [i LDK-së] ka kërkuar që kjo e drejtë të ushtrohet deri në fund. Se si do të përmbyllet kjo kërkesë, tani është çështje e negociatave [me LVV-në]”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka shtuar se që nga bisedimet e para formale, të zhvilluara më 10 korrik mes Kurtit, kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, LVV-ja është njoftuar për parimet mbi të cilat LDK-ja e sheh një marrëveshje të mundshme.
Sipas tij, tash i takon LVV-së që në bisedimet e ardhshme të tregojë nëse i respekton dhe pajtohet me këto parime.
Haziri ka thënë se, në rast se arrihet një pajtim, uniteti i Grupit Parlamentar të LDK-së mund të sigurohet përmes bashkëpunimit të brendshëm.
