Lidhja Demokratike e Kosovës – Dega në Ferizaj kundërshton vendimin e shumicës qeverisëse në Kuvendin Komunal për rritjen e tarifës mujore të mbeturinave për amvisëritë nga 6.50 në 9.90 euro.
Në reagim thuhet:
Me këtë vendim, çdo familje në Ferizaj do të paguajë 3.40 euro më shumë çdo muaj. Kjo paraqet një rritje prej mbi 52 për qind, në një kohë kur familjet tashmë po përballen me rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.
LDK nuk është kundër forcimit të ndërmarrjeve publike dhe as kundër investimeve që përmirësojnë pastërtinë e qytetit. Por jemi kategorikisht kundër që qytetarët të detyrohen ta paguajnë faturën e keqmenaxhimit, politizimit dhe dështimeve shumëvjeçare të udhëheqjes së KRM “Pastërtia”.
Raporti i fundit i Zyrës Kombëtare të Auditimit i ka dhënë kompanisë opinion të kundërt, duke konstatuar se pasqyrat e saj financiare nuk paraqesin në mënyrë të drejtë dhe të vërtetë gjendjen financiare të ndërmarrjes.
Auditori ka dokumentuar:
* mbi 4.3 milionë euro borxhe ndaj kompanisë;
* mbi 360 mijë euro obligime të papaguara për kontributet pensionale dhe tatimin në paga;
* emërime të drejtuesve pa procedura të hapura dhe konkurruese;
* përzgjedhje të kandidatëve që nuk i plotësonin kriteret e konkursit;
* plotësim të pozitave pa respektuar procedurat ligjore;
* mangësi serioze në prokurim, inventarizim, menaxhim të pasurisë dhe kontroll të brendshëm;
* kontrata të palidhura dhe evidenca të parregullta të konsumatorëve.
Për vite me radhë, punëtorët e kësaj kompanie janë përballur me paga të vonuara, kontribute pensionale të papaguara, mungesë të pajisjeve mbrojtëse dhe automjete të amortizuara. Qytetarët, ndërkaq, janë përballur me ndërprerje të shërbimeve dhe grumbullim të mbeturinave në rrugët dhe lagjet e tyre.
