Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar për lajmi.net se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit do të jenë vendimtare për vendin dhe se Aleanca është e përgatitur për këtë sfidë.
Lekaj tha për Lajmi.net se AAK ka një strukturë të konsoliduar, program të qartë dhe lidership të provuar, duke konfirmuar se partia do të garojë e vetme, me Ramush Haradinajn në krye, si alternativë e fortë dhe e besueshme për qytetarët
“Zgjedhjet e 28 dhjetorit do të jenë ndër më vendimtaret për vendin. Skena politike është dinamike dhe qytetarët janë më të vetëdijshëm se kurrë për rëndësinë e votës së tyre. Partitë politike po pozicionohen, por në fund, rezultatin do ta përcaktojë besimi i qytetarëve në seriozitetin dhe përgjegjësinë e secilës forcë politike. Sa i përket Aleancës, ne jemi të përgatitur plotësisht për këto zgjedhje. AAK ka strukturë të konsoliduar, program të qartë dhe lidership të provuar. Ne jemi duke finalizuar të gjitha detajet dhe po, Aleanca do të garojë e vetme, me Ramush Haradinajn në krye, duke ofruar një alternativë të fortë dhe të besueshme për qytetarët”, tha Lekaj.
