Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) i bën thirrje Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që të respektojë vendimet e gjykatës dhe të pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit për kalimin e detyrueshëm të bizneseve në tregun e hapur të energjisë.
LBK thekson se ky veprim, i marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë dialog serioz me komunitetin e bizneseve, është i papranueshëm dhe rrezikon të shkaktojë pasoja të rënda për ekonominë vendore. Qasja e deritashme e ZRRE-së, me mbështetjen e heshtur të Qeverisë, përbën një hap të gabuar strategjik, që nuk i shërben interesit të bizneseve të Kosovës dhe as zhvillimit ekonomik të vendit.
“LBK shpreh keqardhje që ZRRE dhe Qeveria kanë ndërmarrë një vendim pa konsultime të thelluara, pa analizë të ndikimit ekonomik dhe pa ndonjë plan kalimtar të qartë për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm me energji për sektorin privat. Nuk është e qartë në çfarë agjende janë përfshirë ZRRE-ja dhe Qeveria, por është evidente se ky drejtim nuk është në përputhje me nevojat dhe interesat strategjike të prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilat janë shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik të vendit”, thuhet në reagim.
