Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka thënë se do ta largojë Dimal Bashën nga posti i kryeparlamentarit në këmbim të mbështetjes së partisë së tij për formimin e qeverisë së re.
Në Rubikon të Klan Kosovës, Limaj tha se këtë kërkesë Kurti ia bëri pak minuta pa filluar seanca e së dielës për votimin e qeverisë.
“Ma dha informatën që, e di që e ke pas vështirë me votu Dimalin, po e largojmë Dimalin nga kryetari i Kuvendit dhe po e çoj ministër. Dhe qesha. Edhe natyrisht e kërkoi mbështetjen për qeverinë. Por, nuk bëhen këto punë në minuta të fundit. I thash se për respekt erdha, meqë më ftuat, dhe po ju dëgjoj, por nuk bëhen këto gjëra në momente të fundit. U takuam në hapësirat e Parlamentit. Dhe ma kërkoi mbështetjen. Nuk provoi të hapte çështjen e posteve. Nuk dua të jem pjesë e qeverisë”, deklaroi kreu i Nismës.
