Organizata “Linja e Jetës” kanë organizuar protestë duke kundërshtuar mënyrën e raportimit të rasteve të vetëvrasjeve dhe publikimin e informatave private të viktimave dhe familjeve të tyre.
Drejtori i organizatës, Bind Skeja, ka deklaruar se mungon transparenca rreth një portal në vend duke thënë se nuk dihet zyrtarisht se kush janë gazetarët, kush e mbështet dhe kush e financon atë.
“Sot dimë pak. Ditët e sotme jemi te zyrat e Sinjalit. Kjo sepse ne nuk e dimë nga brendësia e tyre, as nuk e dimë nga ndonjë informacion zyrtar, por e dimë jozyrtarisht. Pak më poshtë është pronari i tyre, Besnik Berisha. Edhe këtë që është pronari i tyre, ne nuk e dimë nga ndonjë informacion zyrtar, por e dimë jozyrtarisht”, ka thënë Skeja.

Ai ka shtuar se kjo paraqet një ironi, pasi sipas tij, portali ka qasje në informacione të ndjeshme për qytetarët.
“Kjo është një ironi e madhe, për shkak se Sinjali di gjithçka për ne. Sinjali di momentet tona më të vështira. E di kur jemi në kulmin e vajtimit, e di kur jetojmë dhe e di kur vdesim”, ka deklaruar ai.
Sipas Skejës, informacionet për rastet tragjike publikohen për konsum publik dhe për të rritur shikueshmërinë.
“E tërë këtë informacion, Sinjali e merr, i paketon dhe i dërgon për konsum publik. Brenda ditës, një vdekje tragjike kthehet në një produkt tjetër që ata e shesin, vetëm për më shumë klikime dhe për oreksin e pangopur të Besnik Berishës”, ka thënë ai.

Ai ka përmendur edhe raste të ripublikimit të videove dhe informatave private të viktimave.
“E kemi parë gjithashtu rastin kur një video e një djali është ripostuar nga Sinjali muaj më vonë, veç për me ngjallë prapë shikueshmëri. E kemi parë gjithashtu pak ditë më vonë, pas të gjitha reagimeve tona, kur Sinjali sërish publikoi informata private të një viktime”, ka deklaruar Skeja.



