Partitë politike kanë komentuar vendimin e sotëm të Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Derisa Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar se do ta shikojnë mundësinë për ankimim në Gjykatën Supreme, në Partinë Demokratike dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë fajësuar Vetëvendosjen se e ka bërë të njëjtën lojë sikur në zgjedhjet e shkurtit për ta certifikuar këtë subjekt politik të serbëve.
PZAP ka marrë vendim në favor të subjektit politik Lista Serbe, duke aprovuar ankesën e këtij subjekti kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për moscertifikimin e listës së kandidatëve të saj për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Me këtë vendim, PZAP e ka anuluar vendimin e KQZ-së të datës 21 gusht, në të cilin KQZ kishte refuzuar certifikimin e kandidatëve të Listës Serbe për shkak të vlerësimit se disa kandidatë nuk i përmbushnin kriteret ligjore për të qenë pjesë e garës zgjedhore.
Sipas arsyetimit të PZAP, vendimi i KQZ-së nuk ka qenë i bazuar në mënyrë të duhur në ligj dhe nuk është dëshmuar bindshëm që kandidatët në fjalë janë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton kriteret për të drejtën për t’u zgjedhur.
PZAP i ka kërkuar KQZ-së që të bëjë certifikimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe për komunat ku ka aplikuar për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.
Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se do ta shikojnë mundësinë për ta dërguar në Gjykatën Supreme, këtë vendim të cilin e ka quajtur skandaloz të PZAP-së.
“Siç e pash ata kanë urdhëruar KQZ-në që të bëj certifikimin e Listës Serbe. Për mua është një vendim tejet i dëmshëm. Ngutija e PZAP-së për të marrë një vendim të tillë duke pasur parasysh që kanë 72 orë në dispozicion për ta marrë një vendim, lënë të kuptohet se ata kanë pas një presion mbi këtë institucion. Ata nuk janë bazuar në dokumentet që i ka ofruar KQZ dhe dokumente që kanë ardhur nga institucionet e sigurisë. Sigurisht që duhet shihet mundësia që ky vendim të apelohet, të dërgohet në Gjykatën Supreme dhe që ne do të merremi me këtë gjatë ditës, por për mua është një vendim skandaloz dhe i bën përgjegjëse PZAP-në edhe për veprimtarinë kriminale të Listës Serbe”, tha ajo.