Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se partia e saj nuk e ka kontestuar vullnetin e deputetëve për të përkrahur apo jo kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga partitë opozitare.
Lushaku tha se LDK-ja beson se propozimi për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë politike, duke theksuar se ky parim është respektuar edhe në rastin e partive të tjera.
“Në emër të LDK-së ne nuk e kontestuam vullnetin e asnjë deputeti të Kuvendit të Kosovës, për të përkrahur apo mos të përkrahur një nënkryetar nga partitë opozitare. Por gjithsesi besojmë thellë se propozimi ynë për nënkryetar i takon ekskluzivisht partisë”, u shpreh ajo.
Ajo shtoi se në votimin individual për secilin kandidat për nënkryetar, LDK-ja ka vendosur t’i mbështesë propozimet e grupeve parlamentare, për sa kohë që kandidatët nuk kanë probleme me ligjin.
“Ne në votimin individual për secilin nënkryetar, morëm vendim që t’i përkrahim propozimet e GP-ve, të cilët janë propozime të partive politike dhe nuk kanë problem me ligjin”, tha Lushaku.




