Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kontingjenti i Forcës së Sigurisë (FSK) që do të zbarkojë në Gazë, do të fokusohet në disa aktivitete, përfshirë çminimin dhe operacionet speciale.
Në një prononcim për KOHËN, ditën kur FSK-ja bëri të ditur se komandanti i saj, gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka dërguar një ekip në këtë territor palestinez, për t’u njohur me zonën ku do të zbarkojë kontingjenti nga Kosova, ministri Maqedonci tha se ky moment përbën hap shumë të rëndësishëm për FSK-në dhe për Kosovën në përgjithësi.
“Për herë të parë, FSK-ja po angazhohet në një mision ndërkombëtar të mbështetjes së paqes në një zonë me ndjeshmëri të lartë dhe në një mision të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, çka dëshmon nivelin e profesionalizmit, gatishmërisë operative dhe besueshmërisë që ka arritur Ushtria jonë, por dhe institucionet tona shtetërore në përgjithësi”, ka thënë Maqedonci të dielen. “Ky është një moment që konfirmon se Republika e Kosovës nuk është vetëm përfituese e sigurisë, por edhe kontribuuese aktive për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjikë”.
