Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka thënë se mirëpret dhe respekton punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë, por deri më tash nuk ka pranuar asnjë njoftim apo vendim zyrtar nga institucionet kompetente në lidhje me çështjen e raportuar në media më 31 dhjetor 2025 për aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ndaj 12 zyrtarëve të kësaj ministrie.
“MASHTI mirëpret dhe respekton punën e institucioneve të pavarura të drejtësisë dhe do të jetë e hapur dhe transparente në raport me çdo zhvillim zyrtar. Njëkohësisht, Ministria thekson respektimin e parimit të pafajësisë, ashtu siç garantohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e kësaj ministrie.
Gjithashtu, MASHTI vlerëson rolin e mediave në informimin e publikut dhe inkurajon që raportimi të jetë i saktë, i bazuar në fakte dhe në përputhje me standardet profesionale të gazetarisë, në mënyrë që të shmangen interpretimet e pasakta apo përgjithësuese, të cilat mund të çojnë në keqinformim të opinionit publik, të dëmtojnë procesin gjyqësor dhe të cenojnë integritetin institucional.
