Nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është mbajtur festa tradicionale “Darka e Lamës”, e cila simbolizon mirënjohjen për të korrat, solidaritetin, mikpritjen dhe respektin për punën.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Shiroka Pula tha se kjo traditë lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun.
“Darka e Lamës është një traditë që lidh tokën me njeriun, punën me mirënjohjen dhe shtëpinë me mikun”, tha ajo.
Presidentja theksoi se në traditën shqiptare, përfundimi i të korrave dhe mbledhja e bereqetit shënonin një moment të veçantë, kur familjet dhe fqinjët mblidheshin rreth një tryeze të përbashkët për të shprehur mirënjohjen për frytet e punës.
Ajo tha se bereqeti nuk është vetëm fryt i tokës dhe i mundit të bujkut, por edhe shprehje e solidaritetit ndërmjet njerëzve.
“Bereqeti nuk është vetëm fryt i tokës dhe i mundit të bujkut, ai është edhe solidariteti ndërmjet njerëzve dhe zemra e hapur e shtëpisë”, u shpreh Shiroka Pula.
Duke folur për rëndësinë e mikpritjes në traditën shqiptare, Presidentja tha se shtëpia e të zotit është edhe shtëpia e mikut, ndërsa tryeza e shtruar dhe buka e ndarë me të tjerët janë dëshmi e respektit dhe besimit ndaj njeriut.
Ajo rikujtoi se në vitin 2002, ish-presidenti Ibrahim Rugova e ngriti këtë traditë në nivel institucional, duke e kthyer në simbol të falënderimit për tokën e Kosovës dhe njerëzit e saj.
Në fund të fjalës së saj, Shiroka Pula bëri thirrje që kjo traditë të ruhet dhe të përcillet edhe te gjeneratat e ardhshme.
“Le ta mbajmë gjallë Darkën e Lamës dhe vlerat që ajo përfaqëson: mirënjohjen, solidaritetin, mikpritjen dhe respektin për punën e njerëzve tanë”, përfundoi Presidentja.