Klinika e Onkologjisë ka njoftuar se aktualisht ka furnizim të rregullt me barin imunoterapeutik Keytruda (Pembrolizumab).
Ky medikament u jepet pacientëve sipas indikacioneve të përcaktuara në Listën e Barnave Esenciale (LBE), transmeton IndeksOnline.
Sipas QKUK-së, në kuadër të kësaj liste, terapia ofrohet për pacientët me kancer të mushkërive me PD-L1 mbi 10%, në kombinim me kimioterapi, si dhe për pacientët me melanomë malinje të stadit III.
“Lidhur me rastin e pacientes për të cilën është kërkuar informacion, dhe është bërë mediatike sqarojmë se ajo fillimisht është trajtuar me rrezatim dhe kimioterapi për kancerin e qafës së mitrës. Pas një periudhe kohore, sëmundja ka përparuar dhe janë paraqitur metastaza. Për këtë arsye, pacientja ka vazhduar trajtimin me kimioterapi, por sëmundja ka vazhduar të përparojë.
Pas vlerësimit nga mjekët dhe testimit për PD-L1, pacientja fillon linjën tjetër, me kimioterapi dhe imunoterapi (Pembrolizumab), si mundësi e mëtejshme e trajtimit” deklaron QKUK.
