Mbi 2 mijë pacientë janë në pritje për stentim në Invazivën e Klinikës së Kardiologjisë në QKUK, ndërsa familjarët e të sëmurëve, alarmojnë se mungesa e stentave, po ua rrezikon jetën pacientëve, ndërsa theksojnë se nuk kanë mundësi për trajtim në sektorin privat për shkak të kostos së lartë. Ata u bëjnë thirrje institucioneve shëndetësore që të sigurojnë sa më shpejt furnizimin me stenta, në mënyrë që të mos rrezikohet jeta e pacientëve.
Mungesa e stentave në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka bërë që mbi 2 mijë pacientë të shtohen në listën e pritjes për stentim. Merita Sopi nga Prishtina i tha Radio Kosovës se babai i saj, për herë të dytë është shtruar në spital, por ndërhyrja nuk është realizuar për shkak të mungesës së stentave.
“Gjendja e babait tim është shumë e rënduar, sepse 80% të venave i ka të mbyllura. Na jemi duke pritur deri sa të na lajmërojnë, sepse në klinikat private, ky lloj i intervenimit kushton 10 deri në 15 mijë euro, gjë që një pensionist, nuk i ka. I bej apel Ministrisë së Shëndetësisë që të marrin masa, sepse me të vërtetë dikush ka për t’u revoltuar. Zemra është një organ që nuk pret. Me këto kushte që janë në QKUK është mjerim me të vërtetë”, thotë Sopi.
Edhe një familjar tjetër shprehet se janë në pritje të furnizimit me stenta, pasi nuk kanë mundësi për trajtim privat.
“Mungesa e stentave është një ngarkesë e madhe si për pacientët si për familjarët, edhe janë të kushtueshme shumë. Tash edhe kriza ekonomike gjithherë po vjen duke u rrit. Në privat s’kemi mundësi ta dërgojmë”, thotë familjari i pacientit.
